Δευτέρα 11 Μαΐου 2009

TAKIME TË PËRFAQËSUESVE TË UNIONIT TË SHOQATAVE SHQIPTARE TË GREQISË NË TIRANË




Në datat 6-8 maj 2009, përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë, zz. Ardian Daullja, Ari Stefa, Irfan Abazaj dhe Ëngjëll Mici, ishin për një vizitë pune në Tiranë. Kjo vizitë u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë midis Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë. Gjatë kësaj vizite u realizuan një sërë takimesh të rëndësishme.
Fillimisht përfaqësuesit e Unionit u pritën në Institutin Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pasi shkëmbyen mendime me stafin e IKD-së për axhendën e vizitës, ata i parashtruan drejtorit të tij, z. Flamur Gashi, problemet që preokupojnë aktualisht komunitetin shqiptar në Greqi, për zgjidhjen e të cilave kërkohet ndihma dhe ndërmjetësimi i shtetit shqiptar. Z. Gashi i informoi bashkëbiseduesit si po punohet e veprohet për t’i zgjidhur probleme të tilla si:
1.- mësimi plotësues në gjuhën shqipe i fëmijve në diasporë dhe, në këtë kuadër, sigurimi i mësuesve të kualifikuar, pajisja e fëmijve me libra të botuara mbi bazë programesh të unifikuara dhe me çertifikatat e posaçme që dokumentojnë përfundimin prej tyre të këtyre shkollave;
2.- ngritja e Qendrës së kulturës shqiptare në Athinë, e cila do të luaj një rol të veçantë për integrimin e mëtejshëm multikulturor të komunitetit shqiptar në jetën shoqërore të Greqisë;
3.- problem i pensioneve, për të cilin Qeveria shqiptare është në bisedime me qeverinë greke për një marrëveshje konkrete;
4.- lëvizja e lirë e njerëzve dhe liberalizimi i vizave, proçes që është përshpejtuar së tepërmi me antarësimin e Shqipërisë në NATO;
5.- pjesëmarrja në zgjedhje e emigrantëve shqiptarë, duke i bërë thirrje atyre për aplikimin sa më shpejtë të jetë e mundur për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike;
6.- njohja nga shteti pritës i patentave ndërkombëtare shqiptare, siç është bërë më parë edhe me shtete të tjera.
Përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë e falenderuan z. Gashi për pritjen miqësore dhe angazhimin e përkushtimin e tij dhe të stafit të IKD-së në zgjidhjen e problemeve që preokupojnë aktualisht komunitetin shqiptar në Greqi.
Në bazë të axhendës që u përcaktua, takimi tjetër i tyre u zhvillua me:

Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit, zz. Preç Zogaj dhe Kastriot Islami.

Bisedimet këtu u përqëndruan në të gjitha çështjet e parashtruara më lart, por me një theks më të veçantë për mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe për të drejtën e votimit të emigrantëve.

Zëvendësministren e Punëve të Jashtme, znj. Edith Harxhi.

Znj. Harxhi u konfirmoi edhe një herë se MPJ e ka vlerësuar kurdoherë drejt komunitetin e madh shqiptar në Greqi, si urë lidhëse për marrëdhënie sa më miqësore me vendin fqinj. Ky komunitet, theksoi ajo, nuk është më ai i fillimit të viteve ’90, por ka ndryshuar shumë në aspektin pozitiv. Këtë fakt e vlerësojnë realisht edhe homologët tanë grekë në takimet që zhvillojmë me ta.
Përfaqësuesit e Unionit i sugjeruan znj. Harxhi nevojën e rikonceptimit dhe ristrukturimit të ambasadës sonë në Athinë, për t’iu përshtatur më mirë stadit të tanishëm të marrëdhënieve shumë të mira me Greqinë, por edhe problematikës aktuale të komunitetit shqiptar atje.

Takimi me nënministrin e Punëve dhe Çështjeve Sociale, z. Kastriot Sulko, biseda u përqendrua në çështjen e pensioneve dhe të sigurimeve. Zoti Sulko i njoftoi drejtuesit e Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë se pikërisht atë ditë për këtë probleme në Athinë, për bisedime qeveritare, ishte vetë ministri.

Takimi me Presidentin, z. Bamir Topi

përfshiu të gjitha temat kryesore që të dërguarit e Unionit kishin shqetësim. Presidenti u theksoi veçanërisht se ishte një tregues shumë kuptimplotë që në krye të shoqatave tashmë po vinin intelektualë dhe bisnesmenë të ditur dhe se kjo elitë tashmë po çertifikohej si udhëheqja afatgjatë e diasporës shqiptare.
Në bisedë Presidenti u ndal gjatë në rolin e madh që ka emigracioni shqiptar në Greqi për zhvillimin progresiv të marrëdhënieve mes dy shteteve e popujve tanë. Po ashtu zoti Bamir Topi e quajti shumë të nevojshme reformimin e strukturës së ambasadës shqiptare në Athinë që ajo të jetë më e përshtatur me nivelin e ri që tashmë ka diaspora jonë në Greqi.

Një takim miqësor e frytdhënës u zhvillua me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha.

Z. Basha theksoi se strategjia e Qeverisë Shqiptare ka synuar e synon të sigurojë një politikë më gjithëpërfshirëse për migrimin, e bazuar në një menaxhim frytdhënës të kësaj dukurie, në një linjë me orientimet e politikës së përbashkët të integrimit të BE-së. Në këtë kuadër ajo i kushton një vëmendje të veçantë komunitetit shqiptar në Greqi. Më tej Ministri Basha vuri theksin në tri probleme kryesore:
Problemi i parë, theksoi ai, është ai i pensioneve. Të gjithë e dimë se ndaj tij janë shumë të ndjeshëm një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë. Qeveria po punon ta zgjidhë atë nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshje të posaçme me qeverinë greke. Madje, për këtë qëllim, ka shkuar në Athinë Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Problemi i dytë është ai i mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët në diasporë, si kusht i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit kombëtar të tyre. Pavarësisht arritjeve, theksoi z. Basha, konstatojmë se ka vend për përmirësime të ndjeshme si nga shoqatat tuaja, nga përfaqësitë tona diplomatike e konsullore, por dhe nga institucionet e specializuara të shtetit shqiptar, që duhet të japin një ndihmesë më të madhe për t’i nxitur e mbështetur më fuqimisht nismat që janë ndërmarrë e do të ndërmerren në të ardhmen në këtë drejtim
Problemi i tretë, vazhdoi ai, është lëvizja e lirë e njerëzve dhe liberalizimi i vizave. Zgjidhja e këtij problemi është avancuar së tepërmi, veçanërisht me arritjen e jashtëzakonshme, antarësimin e Shqipërisë në NATO. Kjo do të lehtësojë së tepërmi lëvizjet tuaja, por edhe të familjarëve tuaj, madje do të ndihmojë shumë edhe për bashkimet familjare.
Më poshtë z. Basha nënvizoi angazhimin e Qeverisë shqiptare, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të institucioneve të tjera si Instituti Kombëtar i Diasporës për ngritjen e një Qendre të Kulturës Shqiptare në Athinë.

Në takimin me Kryeministrin, z. Sali Berisha

drejtuesit e “Unionit kombëtar të shoqatave shqiptare“ në Greqi, i cili përmbledh rreth 50 shoqata shqiptare, duke përfaqësuar rreth 90 përqind të emigracionit shqiptar në Greqi, u shprehën se gjejnë një Shqipëri të ndryshuar, që bën të ndjehet krenar çdo shqiptar dhe u shprehën se dëshironin që eksperiencën dhe mundësitë financiare të krijuara gjatë këtyre viteve t’i investonim në Shqipëri, e cila po prosperon dita-ditës.
“Në këto katër vjet, - u shprehën ata - i keni ndriçuar pamjen Shqipërisë, duke çelur një faqe të ndritur në historinë e saj. Me këto ndryshime kolosale që po shikojmë, ne ndjehemi më krenarë se kurrë më parë në identitetin tonë shqiptar. Dëshira jonë është që të vazhdojë kjo mirëqeverisje edhe në të ardhmen. Të mbledhur rreth Unionit, e quajmë obligim para atdheut dhe të ardhmes së fëmijëve tanë të bëhemi pjesë e këtij ndryshimi të madh ekonomiko-politik.”
Ata falënderuan qeverinë shqiptare për kontributin në krijimin e një klimë miqësore dhe dinjitoze me shtetin fqinj, Greqinë.
Kryeministri Berisha, duke i falënderuar për takimin, i kërkoi të përcillnin në familjet e shoqatat tyre përshëndetjet dhe urimet më të mira për një jetë sa më të begatë. Kryeministri u shprehu falënderimet për kontributin e tyre, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm në miqësinë mes dy popujve.
“Me mund, përkushtim dhe me djersë ju arritët të jeni tashme një faktor dinjitoz në zhvillimin e shtetit fqinj dhe një element i rëndësishëm në miqësinë midis dy popujve. Më erdhi shumë mirë, kur këtë ma përmendi në takimin e fundit dhe vetë Kryeministri Karamanlis. Angazhimi dhe solidariteti juaj ekonomik në këto vite tranzicioni demokratik ka qenë për shoqërinë shqiptare mjaft prekës dhe tepër ndihmues. Me këtë kontribut, ju jeni bërë pjesë e natyrshme e këtij ndryshimi të madh që ndodh në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri, duke i siguruar se tek qeveria shqiptare do të gjejnë një mbështetje të plotë të kërkesave, aspiratave dhe projekteve të tyre.
Kryeministri tha se Shqipëria ka arritur suksese strategjike mjaft impresionuese dhe detyra jonë në të ardhmen është që ky ndryshim të reflektojë dhe në aktivitetin dhe jetën tuaj. “Qeveria shqiptare, - tha Kryeministri - ka përgatitur të gjitha lehtësitë e mundshme fiskale e ligjore për lehtësimin, inkurajimin dhe transferimin e bizneseve dhe investimeve tuaja në vendlindjet dhe trojet tuaja në Shqipëri. Ne jemi vend mikpritës për të gjitha investimet e huaja, por më të gëzuar jemi, natyrisht, për iniciativat e bashkatdhetarëve tanë.”
Ne, vazhdoi Kryeministri, do t’i çojmë më përpara përpjekjet e përbashkëta për arsimimin dhe ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës amtare tek fëmijët tuaj. Programeve plotësuese të gjuhës, ne do t’i shtojmë së shpejti qendrën e kulturës shqiptare, si dhe botimin e “Enciklopedisë së botës shqiptare”, që do të sjellë në çdo familje emigranti veç gjuhës, edhe historinë, gjeografinë dhe etnokulturën e popullit shqiptar. Kryeministri tha se përfaqësitë shqiptare do të kenë specialiste në çdo fushë të jetës, ekonomike, shoqërore dhe kulturore për të lehtësuar përpjekjet tuaja për qytetari e dinjitet.
Shqipëria, - theksoi Kryeministri Berisha - po hedh e sigurt hapat e fundit drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, në mirëkuptim dhe me qeverinë greke po merr formë përfundimtare dhe kërkesa jonë për pajisjen e emigrantëve me pensione vjetërsie.
Gjithashtu, qeveria është e angazhuar plotësisht të pajisë gjithë shtetasit e vet, kudo që ndodhen, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke i dhënë një shans lëvizjes suaj të lirë në hapësirën europiane.
Kryeministri Berisha tha se në të ardhmen e afërt qeveria shqiptare, në akord politikisht me opozitën do të vlerësojë të gjitha mundësitë tekniko-ligjore për të realizuar edhe pjesëmarrjen e emigranteve në procesin elektoral, duke përmbyllur kështu një cikël politik të nevojshëm e dobiprurës për gjithëpërfshirjen e shqiptarëve në politikë.